Sunday, October 18, 2015

Apel Qeverise - Ndertimi Hec-ve ne Shebenik te ndalohen


LETËR E HAPUR


Lënda:  Mbi abuzimin me koncesionet e dhëna për ndërtimin e hidrocentraleve në Parkun Kombëtar                           Shebenik – Jabllanicë.

Drejtuar: Këshillit të Ministrave

Z. Edi Rama, Kryeministër

Organizatave Mjedisore Lokale, Kombëtare dhe Ndërkombëtare



I nderuar zoti Kryeministër,

Të nderuar miq e dashamirës të mjedisit,

Organiztat e Shoqerise Civile ne rrethin e Librazhdit  përmes kësaj letre dëshiron të tërheqë vëmendjen tuaj dhe të opinionit publik, rreth situatës së rëndë mjedisore që po krijohet në Parkun Kombëtar Shebenik – Jabllanicë si rrjedhojë e koncesioneve të dhëna për ndërtimin e hidrocentraleve (HEC).

Ne, kërkojmë nga Këshilli i Ministrave të Republikës së Shqipërisë që të korrigjojë situatën e krijuar duke zhbërë vendimet abuzive të ndërtimit të HEC-ve në Parkun Kombëtar Shebenik –Jabllanicë si dhe të parandalojë veprimet e planifikuara në parqet e tjera kombëtare si ai i Lurës dhe Lugina e Valbonës apo edhe në zonat e tjera të mbrojtura. Gjithashtu, i bëjmë thirrje organizatave dhe qytetarëve të interesuar për çështjet e mjedisit që të shtojmë përpjekjet tona të përbashkëta për të mbrojtur pasuritë natyrore të Shqipërisë.

Aktualisht në rrethin e Librazhdit janë dhënë rreth 84 leje për ndërtimin e hidrocentraleve, ku 70% e HEC-ve prekin Parkun Kombëtar Shebenik – Jabllanicë. Lejet koncesionare janë dhënë në mungesë të plotë të një vlerësimi strategjik mjedisor për lumenjtë. Ndërtimi i kaq shumë hidrocentraleve do të sjellë dëme të pa riparueshme në peisazhin e mrekullueshëm natyror të zonës, në biodiversitetin e saj, si dhe do të krijojë problematika të forta social-ekonomike për komunitetin. HEC-et e planifikuara do të prekin pashmangshmërisht rrjedhën në lumin Shkumbin, lumin e Rrapunit, lumin e Lunikut, lumin e Gurakuqit, zallin e Qarrishtës, lumin e Bushtricës, lumin e Radicinës, lumin e Gostimës, përrenjtë She Librazhd, She Dragostunjë, She Hotolisht, Gurekuqe, Lingajca, Steblevë, etj. Praktikisht, nuk do të ketë burim, përrua apo lumë pa u prekur nga ky fenomen!

Nuk ka asnjë dyshim se ndërtimet e digave, kanalizimeve, devijimet e rrjedhës natyrale të ujit nëpërmjet tubacioneve dhe tuneleve ndikojnë negativisht në habitatet natyrore dhe në tërësinë e mjediseve ujore. Po kështu elemente të qënësishëm të ndikimeve negative afatgjata janë; copëzimet e habitateve, dëme të pariparueshme në peisazhin natyror, zhdukja e llojeve të rrezikuara të faunës dhe dëmtimet e drejtëprdrejta të florës. Devijimi dhe shkurtimi i rrjedhës natyrale të ujrave, në mënyrë të pashmangshme do të krijojë një barrierë për kryerjen e aktiviteve tradicionale të qëndrueshme dhe do të pengojë zhvillimin e ekoturizmit në Parkun Kombëtar Shebenik-Jabllanicë.

Ekosistemi natyror Shebenik-Jabllanicë është shpallur Park Kombëtar më 21.05.2008 dhe si i tillë gëzon të gjitha privilegjet, së paku ligjore, për mbrojtjen e integritetit të tij territorial nga ndërhyrjet direkte në mjedis. Territori i parkut zë pjesën qëndrore të “Brezit të Gjelbër të Ballkanit” dhe përfaqëson një zonë të gjerë ndërkufitare. Kjo zonë formon një korridor të rëndësishëm ekologjik për kafshët e egra, të cilat kanë vlera të pallogaritëshme në ruajtjen e larmisë biologjike të rajonin Ballkanik, e më gjërë.

Parku Kombëtar i Shebenik-Jabllanicës dallohet për një pasuri të papërsëritshme të biodiversitetit. Aty gjenden gjallesa të rralla të mbrojtura nga legjislacioni kombëtar dhe nga konventat ndërkombëtare. Fauna karakterizohet nga prania e ariut të murrmë, ujkut, lundërzës, troftës së malit, etj. Fatëmirësisht në këtë zonë mbijetonRrëqebulli i Ballkanit (Lynx lynx balcanicus syn.martinoi), që është një kafshë endemike shumë e rrallë dhe në rrezik zhdukje.

Për sa i përket florës, në park hasen lloje të shumta bimore të cilat janë të rralla e të kërcënuara si Manushaqja Shqiptare (Viola albanica) dhe Manushaqja e Dukagjinit (Viola dukadjinica), Mënishte Shqiptare (Cistus albanicus) endemike e Shqipërisë, Zambaku Shqiptar (Lilium albanicum), si dhe Shafrani i Jabllanicës (Crocus jabllanicensis) endemik i malit të Jabllanicës.

Për të gjitha arsyet e parashtrura më lart, ne apelojmë për ndalimin e menjëherëshëm të ndërtimit të HEC-ve në Parkun Kombëtar Shebenik-Jabllanicë. Ne do të mbikqyrim situatën nga afër, do të njoftojmë vazhdimisht publikun e gjerë mbi ecurinë e aktiviteteve abuzive dhe do të shtojmë përpjekjet tona për të mbrojtur Parkun Kombëtar Shebenik-Jabllanicë.

Ne besojmë tek mbizotërimi i ligjit dhe shpresojmë se Këshilli i Ministrave do të shqyrtojë këtë apel dhe do të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm institucionalë për korrigjimin e kësaj vendimmarrje të gabuar.

Nga  Shoqatat Lokale  : Agri-en, Shoqata  Medpak, Shoqata e Gruas , Shoqata Aurora, Shqoata AKS , Shoqata Egnatia, Shoqata e Bleterritesve, Shoqata Rajonale e Pyjeve Komunale, SHPPKK Shebeniku, Shoqata Dorez ,Shoqata Librazhdi etj.

Perg. Fatmir  Brazhda

No comments:

Post a Comment